Kryeministri Albin Kurti mirëpriti drejtoren e Institutit Demokratik Kombëtar, Nancy Soderberg, me të cilën bisedoi kryesisht rreth mbështetjes institucionale të komuniteteve joshumicë.
Në takim është vënë në pah se Ministria për Komunitete dhe Kthim do të jetë ministria me rritjen më të madhe të buxhetit, pas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që për shkak të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030 ka ndarje më të madhe buxhetore.
“Qeveria këtë vit për herë të parë ndau fond të veçantë, në vlerë prej tre milionë euro për komunitetet joshumicë me të cilat u financuan 259 grante për fermerë, start-ups dhe OJQ, me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete. Përpos kësaj, u nda edhe buxheti prej dy milionë euro për renovimin dhe ndërtimin e shtëpive të komuniteteve jo-shumicë në komuna, i cili si program pritet të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm”, theksohet në komunikatën e Kryeministrisë.
Kurti shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e mirë e të afërt me NDI gjatë këtyre viteve, duke vlerësuar rolin aktiv të saj dhe kontributin e vazhdueshëm në demokratizimit e partive politike dhe rritjen e transparencën dhe llogaridhënies institucionale.

