Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të homologes serbe pasi Ana Bërnabiq mohoi gjenocidin në Kosovë dhe shifrat e të vrarëve e të dhunuarve seksualisht në Kosovë.
I pari i ekzekutivit të Kosovës ka përmendur të vrarët shqiptarë të cilët kanë qenë të varrosur në varrezën masive në Batajnicë, kurse ato që Bërnabiq ka thënë i quajti “të pavërteta të padurueshme”.
“Çfarë ka thënë ajo pa dyshim është një zvogëlim, deformim, e pavërtetë e padurueshme. Veç në Batajnicë janë zhvarrosur 744 kufoma të shqiptarëve, veç në një varrezë masive. Në Serbi gjithsej në varreza masive janë zhvarrosur 950 shqiptarë. Ndoshta e ka pasur fjalën për këtë. Nuk mund të thuhet 900 për gjithë luftën që është zhvilluar në Kosovë”.
Ai ka shtuar se në Batajnicë të Serbisë sot nuk ka asnjë pllakë përkujtuese që tregon për trupat e varrosur e të zhvarrosur të shqiptarëve, teksa vuri në theks faktin që presidenti serb pikërisht në këtë vend pranoi armatimin nga Rusia e Kina.
“Në Batajnicë sot është poligon i qitjes për ushtrinë dhe policinë serbe, nuk ka asnjë pllakë që thotë se këtu janë zhvarrosur 744 kufoma nga Kosova, që janë varrë në Kosovë, janë varrosur në Kosovë, janë zhvarrosur e varrosur në Serbi dhe janë zhvarrosur sërish e varrosur. Për më tepër në të njëjtin poligon presidenti serb ka mirëpritur ardhjen e armatimin nga Kina dhe Rusia”.
Kurti shtoi se Bërnabiq ka tendencë t’i minimizojë krimet, por se qasjen e tillë tha se Kosova e ka të njohur nga mohimi i masakrës së Srebrenicës nga serbë.
“Bëhet fjalë për rreth 20 mijë gra e vajza por edhe djem e burra të përdhunuar dhe ka organizata kombëtare e ndërkombëtare që e dëshmojnë këtë. E kam vërejtur që kryeministrja e Serbisë ka tendencë të thotë se kanë ndodhur krime, por shumë më pak. Ajo e kupton që është pozicion i pambrojtur nëse thotë se në Kosovë nuk ka ndodhur krimi”, tha Kurti.