Kryeministri Albin Kurti ka folur të hënën për ngjarjet që ndodhën më 31 korrik në komunat veriore të Kosovës dhe rrezikun që pati për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur.
E ndër temat tjera, Kurti foli edhe për çështjen e energjisë elektrike.
Më 21 qershor Kosova dhe Serbia, arritën marrëveshje për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes për energji të arritur në Bruksel mes dyja vendeve vite më parë.
Në fakt edhe pse Kosova dhe Serbia tashmë janë pajtuar për zbatim të marrëveshjes për energjinë, kompania e licencuar, Elektrosever, tashmë ka humbur disa afate të parapara që t’i dorëzojë disa dokumente dhe të fillohet me pagesa të faturave në atë pjesë të vendit.
Kryeministri Kurti tha se Kosova menjëherë dhe në afat rekord i ka përmbushur obligimet e saj që kanë dalë nga marrëveshjet, por është Serbia ajo që ende vazhdon të jetë penguese.
“Marrëveshja për të cilën jemi dakorduar, është për fillimin e faturimit të energjisë së konsumuar elektrike në veri të Kosovës. Edhe këtë e kemi zbatuar. I kemi pasur dy javë për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që ta bëjë licencimin e kompanisë në veri. E ka bërë për dy ditë. Ndërkaq edhe sot, pas shumë e shumë javëve, që është dashur të na dorëzohet regjistri i fundit i konsumatorëve në veri, Serbia nuk e ka bërë. Pra, ne i kemi dy dakordime me Serbinë, dhe është Serbia që nuk po i zbaton”, ka thënë ai.
Sipas tij, Serbia nuk është konstruktive dhe nuk po e zbaton marrëveshjen, as në kuptimin e qëllimit, se lëre më të praktikës.
Ai tha se kjo është brengosëse dhe faktorët ndërkombëtarë, e në veçanti Brukseli, do të duhej ta regjistronte, qortonte dhe ndëshkonte Beogradin për këtë.
Ai tha se serbët duhet të përgatiten që të paguajnë energjinë e shfrytëzuar, sepse nuk ka mundësi të vazhdohet si deri më tash.
“Ne nuk kemi mundësi të paguajmë në vjeshtën e vonë dhe dimrin që vjen, andaj duhet që, pa kurrfarë dileme, sa më parë, qysh dje, të zbatohet dakordimi që kemi arritur. Si mund të kërkojnë ata marrëveshje të reja me ne, kur nuk i zbatojnë këto që tashmë i kemi arritur në kohën e Qeverinë sonë? Kjo tregon që Serbia nuk e ka dialogun për marrëveshje dhe nuk e ka marrëveshjen për zbatim”, ka thënë Kurti.
Edhe në këtë rast, Kurti tha se në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.
Ai tha se me rolin e saj destruktiv, Serbia po synon shkëputjen e qytetarëve në veri të Ibrit në stacionin në Mitrovicë.
Mirëpo, Kurti kujtoi faktin se Kosova tashmë ka paguar për këtë gjë dhe kjo pagesë nuk është dhuratë.
“Është borxh i regjistruar, që të mos përfundojmë në atë shteg të errët, ndërkaq në anën tjetër, që të mos e rrezikojmë anëtarësimin tonë në ENTSO (Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji). Edhe për këtë arsye ne e kemi paguar. Por, kjo pagesë që e kemi bërë, e para është borxh dhe është e pamundur që të bëhet në dimrin që vjen. Andaj është shumë e rëndësishme që të zbatohet dakordimi i arritur”, është shprehur ai.


