Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar nisjen e fushatës së korrje-shirjeve për këtë vit, duke theksuar një arritje të rëndësishme për bujqësinë vendore. Sipas tij, këtë vit janë mbi 21 mijë hektarë më shumë të mbjella me grurë në krahasim me vitin e kaluar.
Në shoqërimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, Kurti vizitoi fshatin Sopijë të Therandës, ku u prit nga fermeri Xhemë Beqiraj. Ky i fundit ka të mbjella 25 hektarë me grurë, falë punës së tij të palodhshme dhe mbështetjes nga shteti përmes subvencioneve dhe granteve. Kryeministri vlerësoi se toka që dikur ishte djerrinë, sot është shndërruar në një “fushë të artë me grurë”.
Përveç grurit, fermeri Beqiraj kultivon gjithashtu mbi 11 hektarë me bostan dhe pjepër, duke treguar përkushtim dhe diversifikim në bujqësi.
Ky zhvillim, sipas Kurtit, dëshmon për rritjen e prodhimit vendor dhe angazhimin e qeverisë në fuqizimin e fermerëve dhe rikthimin e tokës në funksion për të siguruar bukën e përditshme për qytetarët.