Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë pjesë në ceremoninë qendrore të shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Ceremonia po mbahet në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari, aty ku prehen mijëra viktima të masakrës së korrikut 1995, shkruan KosovaNews
Me këtë rast, Kurti ka publikuar edhe disa fotografi nga ceremonia, duke nderuar viktimat dhe duke shprehur solidaritetin e popullit të Kosovës me familjet e të vrarëve.

“Sot shënohet 30-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës — një ditë për të vajtuar 8,372 burra dhe djem të vrarë në masakrën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore,” shkroi Kurti në një postim publik.
Ai theksoi se për Kosovën, Srebrenica përfaqëson një dhimbje të dyfishtë, pasi paralajmëroi gjenocidin që më vonë do të ndodhte në Kosovë.
“Përkujtimi i Srebrenicës nënkupton mësim nga historia. Gënjeshtrat që e mundësuan këtë krim ende jetojnë, mohim i fajit vazhdon, dhe rreziku për ripërsëritje është i pranishëm. E vetmja mënyrë për të ecur përpara është përmes së vërtetës, drejtësisë dhe guximit politik,” shtoi ai.

Kurti kritikoi faktin se edhe sot, 30 vjet më vonë, udhëheqësit e Republikës Sërpska dhe të Beogradit vazhdojnë të mohojnë gjenocidin, përkundër vendimeve të qarta të Tribunalit të Hagës dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në fund, ai nderoi jetët e humbura dhe dhimbjen e pamasë të familjeve të viktimave, duke theksuar se udhëheqësit politikë kanë detyrim moral dhe historik për të mësuar nga e kaluara.
