Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.H., i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, A.H. dyshohet se gjatë periudhës së pacaktuar në vitin 2024 e deri më 10 korrik 2025, ka ushtruar aktivitet të kundërligjshëm të fajdes ndaj qytetarit S.M., duke i dhënë hua shumën prej 800 euro dhe më pas, për shkak të vonesës në kthimin e borxhit, ia ka rritur borxhin në mënyrë disproporcionale në 2.000 euro, e më pas në 5.500 euro.
I pandehuri dyshohet se ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj viktimës për kthimin e borxhit me kamatë të lartë, duke u kapur në flagrancë nga organet e rendit më 10 korrik 2025 në lagjen “Bazhdaranë” të Prizrenit, në momentin kur viktima i dorëzoi shumën prej 5.000 euro.
Po ashtu, hetimet e Prokurorisë zbulojnë se A.H., gjatë të njëjtës periudhë, ka organizuar dhe marrë pjesë në aktivitete të ndaluara të bixhozit të paligjshëm, duke i ofruar viktimës një program të bastores online dhe duke e përfshirë në skema të fajdes, në kundërshtim me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit.
Prokuroria Themelore në Prizren rithekson përkushtimin e saj në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.


