Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka arritur në Kuvendin e Kosovës, ku pas pak pritet të mbahet takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ndërkohë, nga hyrja tjetër e Kuvendit janë parë të hyjnë në Kuvend edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani.
Takimi pritet të fokusohet në çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Glauk Konjufca, ka deklaruar më herët gjatë ditës se Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka përcaktuar emrat që mund të propozohen për president, por nuk ka bërë publikë kandidatët.
“Lëvizja Vetëvendosje është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, por nuk mund t’i ndaj këtu me juve, sepse pastaj do ta humbte kuptimin procesi i negociimit”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka thënë se pret që edhe LDK-ja të jetë e gatshme për këtë proces, duke vlerësuar se pas fillimit të diskutimeve një marrëveshje për presidentin e Republikës së Kosovës mund të jetë afër.

