Në ditën kur bizneset do të mbajnë një protestë, përmes së cilës kërkojnë kohë për të dalë në tregun e lirë energjetik, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka folur për këtë çështje, duke thënë se bizneset kanë pasur kohë të përgatiten për tregun e lirë energjetik.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë zbatuar këtë reformë vite me parë. Sfida ekziston, por bizneset tona kanë krijuar avantazh konkurruese dhe kanë pasur më shumë kohë se të tjerët për tu përgatitur për ndikimin e daljes në treg. Nga ana jonë, kemi përkrahur biznese kur ato kishin nevojë dhe do të jemi gjithmonë pranë prodhuesve vendor”, tha ai.
Kurti tha se shtyrja nuk e zgjidh problemin. Ai ka kritikuar Odën Ekonomike për protestën e sotme. “Koha e barrikadave ka kaluar. Nga vendimi për të dalë në treg të hapur preken 1200 ndërmarrje apo 1% e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë. 300 prej tyre si prodhuese dhe shpenzuese më të mëdha, preken më së shumti, por duhet theksuar se ky proces nuk është i befasishëm”, tha Kurti.