Ad image

Anulimi i “Sunny Hill”, Rama hedh fajin te Qeveria Kurti

Kosova News
Kosova News 19:47 -14/06/2022

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka reaguar pas anulimit të festivalit “Sunny Hill” duke thënë se për këtë fajtor kryesor është Qeveria e Kosovës.

Festivali, i paraparë të mbahej në Prishtinë, do të zhvendoset në Tiranë, pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ua ka kthyer përgjigjen definitive organizatorëve për dhënien e tokës në shfrytëzim.

Në reagimin e tij, i pari i kryeqytetit ka thënë se një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, zhvillimin ekonomik dhe imazhin e përgjithshëm.

“Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, “Sunny Hill”, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit.

Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe “Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit”, ka shkruar Rama.

Ndryshe, në një njoftim zyrtar në ‘Facebook’, organizatorët thonë se data e festivalit nuk ka ndryshuar dhe se ajo do të mbahet nga data 4 deri më 7 gusht./kp/

TAGGED: , ,
Shpërndaje