Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka falënderuar nga zemra Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të ndajë afro 580 mijë euro për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës.
Sipas Sinanit, ky projekt i kontraktuar nga Komuna e Preshevës nuk është thjesht investim infrastrukturor, por përfaqëson një angazhim të rëndësishëm për zhvillimin arsimor, artistik dhe kulturor të kësaj ane.
“Shkolla e Muzikës do të jetë një hapësirë moderne për edukimin artistik të të rinjve tanë, për koncertet, bashkëpunimet dhe afirmimin e talenteve lokale,” ka theksuar ajo, duke shtuar se Muzeu i Preshevës do të jetë institucioni i parë i këtij lloji në Luginë, një qendër identitare për ruajtjen e historisë dhe trashëgimisë shqiptare.
Sinani e cilësoi këtë vendim si dëshmi konkrete se Lugina e Preshevës mbetet në vëmendje dhe se përkushtimi institucional ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të Kosovës është i pandërprerë.
Ajo ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kryeministrit Kurti dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm institucional.
“Kjo është rruga drejt barazisë, dinjitetit dhe të drejtës për të qenë të barabartë në kujtesën kombëtare,” ka përfunduar Sinani, duke e mbyllur mesazhin e saj me fjalët: “Me zemër për Preshevën, gjithmonë!”
Faleminderit nga zemra Kryeministër Albin Kurti Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi sot përkrahjen financiare për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës, një projekt i kontraktuar nga Komuna e Preshevës me vlerë prej afro 580 mijë euro! Ky projekt është më shumë se infrastrukturë – është investim në dije, art dhe kujtesë kombëtare. 👉 Shkolla e Muzikës do të jetë një hapësirë moderne për edukimin artistik të të rinjve tanë, për koncertet, bashkëpunimet dhe afirmimin e talenteve lokale. 👉 Muzeu i Preshevës do të jetë i pari i këtij lloji në Luginë, një qendër e identitetit tonë, për ruajtjen e historisë, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Ky vendim është dëshmi se Lugina e Preshevës është gjithnjë në vëmendje, dhe se angazhimi institucional për shqiptarët jashtë kufijve nuk mungon. Në emër të qytetarëve të Preshevës, falënderoj me mirënjohje të thellë Kryeministrin Kurti për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj Luginës së Preshevës, si dhe Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, për bashkëpunimin dhe mbështetjen institucionale. Kjo është rruga drejt barazisë, dinjitetit dhe të drejtës për të qenë të barabartë në kujtesën kombëtare. Me zemër për Preshevën, gjithmonë! ❤️
Posted by Ardita Sinani on Wednesday, July 9, 2025