Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.
“Unë, Erden Atiq, betohem se do t’i ushtroj kompentencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha ai në deklaratën e betimit.
Atiq në këtë seancë e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.
Ndërkaq, pas betimit, Atiq para mediave ka thënë se do të punojë me të gjithë qytetarët, pa dallim.
“Ne me gjithë ekipin, do të punojmë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe pa diskriminim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që të na takojnë, të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar Atiq në një deklaratë për media pas betimit.


