Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez mbërrin sot për një vizitë katërditore në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Por mes tyre, siç raportojnë radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, nuk do të jetë edhe Kosova.
Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që bashkë me Sllovakinë, Qipron, Greqinë e Rumaninë, aktualisht nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kjo është arsyeja pse vendimi i Sanchez për të anashkaluar Kosovën në turneun e tij në Ballkanin Perëndimor nuk është edhe aq befasues.
Vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor, Sánchez e fillon sot (e premte) e do ta vazhdojë edhe nesër në Beograd.
Më pas, në ditët në vijim, kryeministri spanjoll do të vizitojë Sarajevën e Mostarin në Bosnje e Hercegovinë, Podgoricën në Malin e Zi, Shkupin në Maqedoninë e Veriut e Tiranën në Shqipëri.
Sot më 29 korrik, Sanchez do të bisedojë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, pas së cilës do të mbahet një takim plenar i delegacioneve të dy vendeve.
Sanchez po viziton rajonin me qëllim të “riaktivizimit, ringjalljes dhe rivitalizimit të procesit të zgjerimit” të BE-së në Ballkanin Perëndimor, sipas mediave spanjolle.
Në takimin e liderëve të BE-së në fund të qershorit në Bruksel, Sanchez avokoi për ringjalljen e procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Kjo do të jetë vizita e parë e një kryeministri spanjoll në Serbi pas disa dekadash.