Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka urauar deputeten shqiptare në Parlamentin e Kantonit të Luzernit, Ylfete Fanaj, e cila u bë shqiptarja e parë ministre në qeverinë kantonale të Luzernit.
“Shqiptarja e parë deputete në Parlamentin e Kantonit të Luzernit dhe e para që udhëhoqi me Parlamentin e këtij Kantoni, Ylfete Fanaj, sot u bë shqiptarja e parë ministre në qeverinë kantonale të Luzernit.
Si pionere shqiptare në politikë, të arriturat e saja janë inspirim dhe udhërrëfim për mërgatën tonë në Zvicër, e cila për shumë vite tani i shërben me besnikëri shtetit zviceran”, ka thënë kryeministri Kurti.
Sipas tij, ky nuk ishte urimi i parë për znj.Fanaj, dhe duket se nuk do të jetë i fundit. “I dëshiroj suksese në detyrën e re dhe punë të palodhshme përballë përgjegjësive të reja. Me të nuk na bën bashkë vetëm origjina, por edhe orientimi socialdemokrat. Andaj edhe bashkëpunimin e kemi detyrim, përveçse interes të përbashkët”, shkruan Kurti në profilin e tij në Facebook.


