Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “të zhdukurit me dhunë” është termi për të cilin Kosova dhe Serbia janë dakorduar që të përmendet në deklaratën për të pagjeturit.
“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’ – të zhdukur me dhunë – dhe kështu është termi që është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat të pagjetur, të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukur me dhunë. Kjo është shprehja në anglisht për të cilën tashmë është dakorduar në Bruksel”, ka thënë Kurti të enjten para gazetarëve, pas prezantimit të strategjisë së Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027.
Për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se do të analizojë rezultatet e takimit të kryenegociatorit Besnik Bislimi me Petar Petkoviqin e Serbisë më 4 prill për të përcaktuar “ecjen përpara në prill”.
Po ashtu, Kurti ka konfirmuar se brenda prillit do të ketë takim të nivelit të lartë në dialog, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit të së martës, Bislimi ka thënë se ka dakordim që të ketë takim të liderëve, ndërsa Petkoviq u shpreh se janë dakorduar për deklaratën për “personat e pagjetur”.
Në aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim raportesh, e që u dakordua në Ohër më 18 mars në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është thënë që deklarata për personat e zhdukur duhet të miratohet si çështje urgjente.