Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë Michael Davenport, ku diskutuan për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri të Kosovës.
Me këtë rast kryeministri Kurti falënderon shefin e OSBE-së, Davenport për adresimin e legjislacionit sekondar në lidhje me nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale.
Në këtë takim, po ashtu bëhet e ditur që është diskutuar edhe për kërcenimet dhe frikësimet nga Beogradi që po iu bëhen policëve të rinj nga komuniteti serb, të cilët janë angazhuar në Policinë e Kosovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim, Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin biseduan për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së, në Kosovë.
Ndër të tjerash, diskutuan për procesin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, me ç’rast Kryeministri shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e OSBE-së në adresimin e legjislacionit sekondar në lidhje me nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale.
Në takim, u bisedua edhe për integrimin e komuniteteve jo-shumicë dhe pengesat me të cilat ballafaqohen. Në lidhje me këtë, Kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e tij në lidhje më kërcënimet dhe frikësimet nga Beogradi dhe strukturat ilegale ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb të angazhuar së fundmi në Policinë e Kosovës.”, ka bërë të ditur zyra e Kryeministrit.


