Kryeministri i vendit , Albin Kurti ka pritur në zyrën e tij djemtë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Mejdi Asllani, i njohur edhe si “Plaku i Emshirit”, Bekim dhe Asllan Asllani dhe mikun e tyre, Burim Zagragja.
“Më 7 mars të vitit 1999, familja e Mejdi Asllanit u sulmua nga katër policë të Serbisë, të cilët e morën peng gjithë familjen Asllani, duke ua mbajtur tytat e automatikëve në kokë dhe në gjoks brenda shtëpisë së tyre, në lagjen Emshir të Prishtinës. Mejdiu ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me të dy djemtë e tij Asllanin dhe Bekimin. Në një ngjarje të pabesueshme dramatike, Mejdi Asllani bashkë me djalin e tij Asllanin, arritën ta përmbysin situatën falë bombave të dorës dhe një automatiku që e kishin në shtëpi. Atë ditë ata dhanë një shembull të jashtëzakonshëm të rezistencës në kryeqytet”, shkruan në njoftimin zyrtar.
Tutje u tha se ky takim ishte planifikuar që në fillim të vitit bashkë me Mejdiun që të mbahej pikërisht në shënim të 25-vjetorit të betejës së tij në Emshir.