Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën me homologen e tij nga Estonia, Kaja Kallas, ku kanë biseduar për situatën politike në vend dhe rajon.
Ndër të tjera, sipas postimit të Kurtit në Facebook, është diskutuar edhe kontributi që Kosova mund të japë si anëtare e Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP).
“Tani në takim me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, gjatë kohës që po mbahen punimet e Samitit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP). Biseduam për situatën politike në vend, në rajon dhe kontributin që shteti ynë mund të jap si anëtar në OGP”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin dhe zyrtarë tjerë qeveritar, kanë udhëtuar për në Tallinn të Estonisë.
Ata po marrin pjesë në Samitin Global të 8-të të Open Government Partnership që këtë vit organizohet nga Qeveria e Estonisë.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Kurti tha se Kosova ka avancuar shumë në fushën digjitale.
Ai ka përmendur se në vend në dy vitet e fundit janë digjitalizuar mbi 150 shërbime, duke përmendur edhe portalin e-kosova.
“Është kënaqësi që të jem ne Estoni. Estonia është një storie suksesi e digjitalizimit. Ajo ua ka lehtësuar jetën qytetarëve të saj përmes digjitalizimit. Në dritën e sulmeve kibernetike, digjitalizimi bëhet edhe më i rëndësishëm. Me internetin qe shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, qytetarët tanë kane mundësi në marketin ndërkombëtar”.
Në këtë rast kryeministri Kurti ka përmendur edhe rrezikun nga sulmet kibernetike, e të cilat sipas tij mund të vijnë nga aleatët e Rusisë.
“Kështu mund ta përmirësojmë efikasitetin e shëndetësisë, gjyqësorit dhe ta rrisim produktivitetin e gjithë ekonomisë. Mirëpo çdo e mirë, ka edhe kërcënimet e saj. Në Kosovë, aleatët e Rusisë kanë tëndenca të bëjnë sulme kibernetike. Jemi të hapur të mësojmë nga ju për një demokraci sa më të fortë digjitale”, tha ai.



