Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në një konferencë për media ka thënë se veprimi i djeshëm i Serbisë ishte veprim agresor, të cilët rrëmbyen tre zyrtarë të policisë në brendi të territorit të Kosovës.
Kreu i Qeverisë tha se nuk është shprehur i befasuar me veprimet e Serbisë, por ai ka thënë se është i befasuar me tolerancën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të shtetit serb, një ditë pasi kidnapuan tre policë kufitarë në veri.
“Rasti i ndjeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj policisë që po lufton krimin, dhe intencë për eskalim dhe destabilizim ku ne tashmë kemi propozuar planin pesë pikësh për de-eskalim dhe normalizim”, tha Kurti.
Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin.
“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të enjten.
Tre policë u kidnapuan të mërkurën brenda territorit të Kosovës nga policët serbë. Megjithatë, ndërkombëtarët, përfshirë ambasadorët e vendeve të fuqishme në Kosovë, nuk ka bërë ndonjë reagim për rastin. Ndërkombëtarët vazhdojnë të kërkojnë nga Kurti të ndërmerr hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri.


