Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga zv . kryeministrja për komunitete Emilja Rexhepi dhe ministrja e arsimit Arbërie Nagavci, morën pjesë në përurimin e objekteve të renovuara të objekteve të Fakultetit të Edukimit dhe atij Filologjik në Universitetin “ Ukshin Hoti” në Prizren.
“Më shumë se gjysmëshekulli nuk u investua në këtë universitet që ka emër dhe histori, ndërsa këtë vit kemi investuar gjysëm milion euro për t’i bërë ato sa më funksionale , tha Kurti .
“Pas këtyre investimeve, me këtë infrastrukturë të re, me rrjetin e ri elektrik, me internetin me fije optike, me sallat e reja të mësimit, dhe të profesorëve, me energjitë e reja të vazhdueshme në këtë universitet , uroj që ky fakultet të vazhdojë dhe ta ngrisë atmosferën e re të punës , studimit e ligjërimit”, tha ai.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se janë ndarë 250 mijë euro për renovimin e objektit të këtij universiteti. Kjo, sipas saj është bërë me synim të përmirësimit të cilësisë në arsim.
“Qeveria e Kosovës, konkretisht MAShTI, zotimet i ka të shenjta dhe jemi këtu për t’i përmirësuar kushtet në arsim. Ky është një nga nismat tona për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës në arsim. Për Universitetin tuaj janë ndarë edhe 250 mijë euro për renovimin e këtij objekti. Duke e ditur që këtu nuk ka pasur investime që nga vitet 70-ta, kjo ngjarje e bën edhe në historike”, ka deklaruart Nagavci. Ajo përmendi edhe krijimin e kushteve për studentët me aftësi të kufizuara.
Kurse rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, ka thënë se prezenca e zyrtarëve qeveritarë është dëshmi e përkushtimit për përmirësimin e infrastrukturës. Sipas tij, rëndësia e infrastrukturës është jetike për përmirësimin e arsimit në vend.


