Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në funeralin shtetëror në nderim të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.
Kryeministri Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ambasadorin e Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari kanë vendosur lule të freskëta në nderim të jetës së mikut të vendit tonë, ish-kryeministrit Shinzo Abe.
Kreu i ekzekutivit Albin Kurti, ka udhëtuar para dy ditësh për në Japoni dhe atje po shoqërohet edhe nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Kurti gjatë qëndrimit në Japoni ka zhvilluar edhe takime tjera zyrtare.
E dje kryeministri Kurti është takuar me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda, i cili e priti në rezidencën e tij zyrtare.
“Gjatë vizitës dyditore në Japoni me rastin e ceremonisë lamtumirëse dhe funeralit shtetëror për ish kryeministrin z. Shinzo Abe, zhvillova takim me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë, z. Hiroyuki Hosoda, i cili na priti në rezidencën e tij zyrtare. I shoqëruar nga Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, dhe ambasadori ynë, z. Sabri Kiçmari, prezantuam të arriturat e Kosovës, e falënderuam për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe shprehëm interesimin për investime japoneze në Kosovë”, ka shkruar në rrjetin social Kurti.
Kreu i ekzekutivit tha se Kosova me Japoninë ndajmë pikëpamje të njëjta sa i përket rrethanave gjeopolitike në botë dhe vlerave demokratike e humane, andaj duhet shtuar bashkëpunimi.
Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, vdiq pasi u sulmua me armë zjarri në korrik të këtij viti në një ngjarje në qytetin Nara.
Abe, 67 vjeç, po mbante një fjalim për zgjedhjet, kur u qëllua me dy plumba.
Sulmuesi i dyshuar ishte një burrë rreth të 40-ave, i cili u arrestuar në vendngjarje.
Ndryshe, Abe është kryeministri më jetëgjatë në historinë e Japonisë, pasi ka shërbyer gjatë viteve 2006/2007, pastaj përsëri nga 2012/2020, kur dha dorëheqje duke përmendur sëmundjen kronike, kollitjen.
Në kohën kur ai u rizgjodh në vitin 2012, Japonia po përballej me një rënie ekonomike pas dekadash stagnimi – duke nxitur një nga iniciativat historike të Abes, një eksperiment i njohur si “Abenomics”. Aleatët e vlerësojnë këtë lëvizje me ndalimin e rënies së mëtejshme – por ekonomia e vendit mbeti e prekshme gjatë gjithë kohës në detyrë.





