Situata në Kosovë është rënduar pas të reshurave të shiut duke bërë që shumë zona të jenë të përmbytura. Qeveria dhe institucionet vartëse thonë se po vazhdojnë angazhimin për të garantuar normalitet në këto situata të vështira.
Kryeministri Kurti së bashku me dy ministra ka shkuar në Istog, duke parë nga afër dëmet që kanë shkaktuar vërshimet.
Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Meha dhe ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka vizituar fshatin Drejë, njëra nga fshatrat më të prekura në Istog.
Rreth tetë fshatra të Istogut janë prekur nga vërshimet ka njoftuar kryetari i kësaj komune, Ilir Ferati.
Skenderaj dhe Mitrovica janë dy komunat më të prekura dhe kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Megjithëse, të dy komunat nga përditësimet e fundit në terren thonë se gjendja është nën kontroll.
Në fshatin Drejë të Istogut, Forca e Sigurisë së Kosovës evakuoi 14 familje me rreth 60 anëtarë të cilit kishin mbetur të bllokuar gjatë gjithë ditës së enjte.
Vështirësi ka pasur edhe në komunën e Pejës, më saktësisht në fshatin Baran ku situata ka qenë më e rëndë.
Në Podujevë situatë më e rëndë është paraqitur në fshatrat Pakashticë, Letanc, Siboc dhe disa zona urbane që janë prekur nga vërshimet. Komuna e Podujevës ka thënë se gjendja në teren është tejet e rëndë, ndërsa kanë angazhuar 5 kompani të cilat po punojnë me kapacitete të plota në intervenim.
Disa komuna, përfshirë Mitrovicën, Skenderajn dhe Klinën kanë vendosur që të premten të mos zhvillohet mësimi në shkollat fillore dhe të mesme për shkak të gjendjes së rënduar, të krijuar si pasojë e vërshimeve.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paraparë që reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së premte.




