Kryeministri Albin Kurti ka pritur të hënën në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këtë takim është konfirmuar “përkushtimi për avancim të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.
“Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, në çdo fazë të shtet-formimit, shtet-ndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar se mirëpritet bashkëpunimin me kabinetin e ri të Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Më tej bëhet e ditur se temat kryesore të diskutimit të së hënës ishin fuqizimi i raporteve në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe shëndetësisë dhe planet e përpjekjet e dy palëve për të krijuar një forum ekonomik të përbashkët.
Krahas tyre, bëhet e ditur se Kurti njoftoi delegacionin turk edhe për procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën në katër komunat në veri.




