Lëvizja Huthi në Jemen ka njoftuar se disa nga figurat më të larta politike të saj, përfshirë kryeministrin e qeverisë Huthi, Ahmed Galib el-Rehavi, janë vrarë gjatë një sulmi ajror të Izraelit. Mes viktimave raportohet se ka edhe ministra të tjerë.
Sipas njoftimit, sulmi ndodhi pas një vale bombardimesh të ashpra mbi kryeqytetin Sana, të cilat pasuan lëshimin e një rakete nga Huthitë drejt Izraelit të mërkurën.
Agjencia e lajmeve e Huthive konfirmoi se kryeministri dhe disa ministra humbën jetën në këtë sulm.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se objektiv i bombardimeve të së enjtes ishin kompleksi presidencial dhe drejtuesit kryesorë të lëvizjes Huthi.
Huthitë: “Sulmet nuk do të mbeten pa përgjigje”
Sipas agjencisë së lajmeve SABA, e afërt me Huthitë, zyrtari i lartë Gamari deklaroi pas pretendimeve për një atentat ndaj tij se “sulmet e armikut sionist (Izraelit) ndaj lagjeve civile në Sana nuk do të mbeten pa ndëshkim”.
Ndërkaq, Gamari theksoi se Jemeni nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Gazën, “pavarësisht përmasës së sulmeve apo sakrificave”. Ai shtoi se “eskalimi i dhunës nga sionistët në Gaza ose kundër Jemenit nuk është shenjë force, por dëshmi e dështimit të tyre për gati dy vjet për të arritur objektivat. Ky dështim do të përballet me kundërpërgjigje edhe më të ashpër”.
Ai gjithashtu përshëndeti qëndresën e palestinezëve në Gaza duke e cilësuar “historike” dhe i vlerësoi luftëtarët palestinezë si “heronj që po përgatiten t’i shkaktojnë humbje të mëdha armikut në sulmet ndaj qytetit të Gazës”.
Sulmet e Huthive ndaj Izraelit
Në mbështetje të Palestinës, Huthitë kanë kryer disa sulme ndaj Izraelit kohët e fundit, përfshirë sulme me raketa dhe goditje ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Pas sulmit të fundit të mërkurën, Izraeli paralajmëroi se Huthitë do të paguajnë një çmim të rëndë./KosovaNews/


