Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 172-të e ka zyrtarizuar emërimin e drejtorit në Institutin për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se e ardhmja ndërtohet duke adresuar të shkuarën dhe se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera në luftën në Kosovë.
Ballafaqimin me të kaluarën, ai e ka cilësuar si të domosdoshme për përparim shoqëror, teksa ka thënë se ky Institut do t’i shërbejë shumë gjeneratave.
“Vazhdon angazhimi ynë institucional për adresimin e të gjitha dëmeve krimeve të kryera gjatë luftës, angazhimi ynë për të matur dëmet e shkaktuara, andaj sot u bë një hap për ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila do të na shërbej edhe neve edhe brezat pas nesh. Pra, e jetësojmë Institutin që do të adresojë krimet e Serbisë gjatë viteve 1998-1999”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë me dije se ka emëruar Atdhe Hetemin si drejtor ekzekutiv të Institutit për Krimet e kryera gjatë luftës.
“Sot emërova Atdhe Hetemin drejtor ekzekutiv në Institutin për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, që do t’i prijë këtij procesi të rëndësishëm. Krimet e luftës nuk janë të shkuara, sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët e luftës janë të thella dhe ende të pranishme”, tha Kurti.
Gjatë këtij viti janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione, prej tyre 5 nga to kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën 6 viktimave të luftës, duke mos përfshirë gjetjet e fundit në Bishtazhinë, Gjakovë dhe Prizren.