Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish- kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.
Në këtë udhëtim kryeministri është i shoqëruar edhe nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Në një njoftim për media nga Kryeministria thuhet se shefi i ekzekutivit Albin Kurti gjatë qëndrimit në Japoni do të zhvillojë edhe takime tjera zyrtare.
E sot kryeministri Kurti është takuar me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda, i cili e priti në rezidencën e tij zyrtare.
“Gjatë vizitës dyditore në Japoni me rastin e ceremonisë lamtumirëse dhe funeralit shtetëror për ish kryeministrin z. Shinzo Abe, zhvillova takim me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë, z. Hiroyuki Hosoda, i cili na priti në rezidencën e tij zyrtare. I shoqëruar nga Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, dhe ambasadori ynë, z. Sabri Kiçmari, prezantuam të arriturat e Kosovës, e falënderuam për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe shprehëm interesimin për investime japoneze në Kosovë”, ka shkruar në rrjetin social Kurti.
Kreu i ekzekutivit tha se Kosova me Japoninë ndajmë pikëpamje të njëjta sa i përket rrethanave gjeopolitike në botë dhe vlerave demokratike e humane, andaj duhet ta shtojmë bashkëpunimin.
“Paraprakisht, vizitova ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio ku na u bashkangjit për takim edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Gjergj Teneqexhiu”, tha ai./KosovaNews/


