Ministrja e Punëve të Jashtme në Republikën Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ndërsa foli për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, e ndali vëmendjen e saj te tensionet e rritura gjatë ditëve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryediplomatja gjermane kërkoi nga dy palët që të shuajnë shkëndijat e vjetra, teksa përsëriti thirrjen ndaj Serbisë që të sqarojë rrethanat e sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ndaj trupave të KFOR në maj.
“Duhet të shuajmë shkëndijat e vjetra të tensioneve. Vendosja e trupave serbe e ka nxehur më shumë situatën dhe kjo ndodhi pas sulmit ndaj policisë së Kosovës. Presim nga autoritetet serbe të sqarojnë rrethanat e 24 shtatorit dhe të ngjarjeve ndaj ushtarëve të KFOR. Situata është e tensionuar saqë NATO ka shtuar prezencën. Çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë. Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Presim më shumë kompromis dhe kurajë nga palët. Nuk duhet të na dekurajojë asgjë, pasi nga çdo krizë mund të lindë diçka e re. Të rinjtë duan të ardhme më të mirë. Jam krenare dhe për arritjet e Procesit të Berlinit për të rinjtë”, tha mes të tjerash ministrja gjermane.
“Në rrugën drejt komunitetit europian, nuk ka alternativë tjetër përveçse njerëzit të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre.” Ishte kjo përgjigja e ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock kur u pyet nga gazetarët, nëse Serbia është e gatshme që të ç’tensionojë situatën në veri të Kosovës.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin Igli Hasani dhe komisionerin Oliver Varhelyi, kryediplomatja gjermane shtoi se përpos faktit që jetesa në paqe me fqinjët është thelbësore, është gjithashtu e rëndësishme që të mos dërgohet ushtria në kufirin me fqinjin.
E pyetur, për reagimin e Serbisë, Baerbock solli në vëmendje se trupat në kufi janë reduktuar. Ministrja gjermane shtoi se po bëhen biseda me të githa palët e përfshira.
Po ashtu, ajo bëri të ditur, se vitin e ardhshëm, Gjermania do të shtojë kontributin e saj në trupat e KFOR-it.
“Në këtë pikë….rruga e suksesshme për deeskalim, është ajo e bashkëpunimit,” shtoi Baerbock.
Për diplomaten gjermane, përgjegjësinë më të madhe e mban Policia e Kosovës, e cila mbështet në misionin e saj nga Eulex dhe KFOR.


