Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së grupit të deputetëve të kësaj partie ka thënë se është vendosur të hiqet dorë nga çdo kërkesë.
“Për ta çliruar procesin nga çdo alibi dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetëror, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale. LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri, le t’i mbajë të gjitha VV-ja. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për ta udhëhequr postin e presidentit”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë dhe do ta ushtrojë këtë përgjegjësi me dinjitet.
Ai ka thënë se LDK-ja është e gatshme të bisedojë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës.
“Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për partnere s’do ta ketë as s’i dekor. Do të qëndrojmë në opozitë dhe do të ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet. Pavarësisht këtij qëndrimi, s’do ta shndërrojmë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”, tha Abdixhiku.

