Qeveria e Kroacisë ka dërguar sot për miratim dhe ndryshim Ligjin për mbrojtjen dhe shërbimin në Forcat e Armatosura, i cili përfshin rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Që nga viti 2008, Kroacia ka pasur të pezulluar vendimin për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por sipas planit të ri, shërbimi do të rifillojë në vitin 2026 dhe do të zgjasë dy muaj.
Sa i përket regjistrimit, çdo shtetas kroat do të regjistrohet në moshën 18-vjeçare, ndërsa në trajnim ushtarak do të dërgohet në moshën 19-vjeçare. Në disa raste, trajnimi mund të përfshijë edhe qytetarë nga 19 deri në 30 vjeç.
Në rast se një individ nuk paraqitet, autoritetet mund të lëshojnë një urdhër policor për sjelljen e tij me forcë, dhe ai do të përballet me gjoba nga 250 deri në 1320 euro. Gratë nuk do të kenë detyrim ligjor për shërbim ushtarak, por mund të marrin pjesë vullnetarisht në trajnime.
Shërbimi ushtarak do të llogaritet si përvojë pune (kontribut për pension) dhe do të paguhen me 1100 euro neto në muaj, raporton klix.ba.
Për më tepër, ata që janë të punësuar nuk do të mund të pushohen nga puna gjatë periudhës së shërbimit ushtarak, ndërsa të papunët do të kenë përparësi në punësim në institucionet shtetërore, shkruajnë mediat kroate.
Do të ekzistojë gjithashtu mundësia për shtyrje të shërbimit – si për arsye studimi deri në moshën 29-vjeçare, ashtu edhe për sportistët që përfaqësojnë Kroacinë në garat evropiane dhe botërore.