KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
KosovaNewsKosovaNews
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
Search
  • Politikë
  • Siguri
  • Ekonomi
  • Shëndetësi
  • Arsim
  • Kulturë
  • Sport
  • Rajon
  • Botë
  • Opinion
  • Tjera
    • Auto
    • Teknologji
    • Kuriozitete
Follow US
© KOSOVANEWS ||Made by V͟I͟R͟A͟L͟ D͟i͟g͟i͟t͟a͟l͟
Home » Krizë për anesteziologë dhe infermierë në Kosovë
Shëndetësi

Krizë për anesteziologë dhe infermierë në Kosovë

Kosova News
Kosova News 17:55 -26/09/2022
Shpërndaje
Shpërndaje

Mungesat e anesteziologëve dhe të infermierëve janë më të vërejtshmet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe, sipas të gjitha gjasave, ato nuk do të mund të adresohen së shpejti.

Kjo qendër ka mbi dyfish më pak anesteziologë se do të duhej të kishte, përkatësisht 48 – ndërsa, bazuar në nevojat dhe kërkesat, do të duhej të kishte 120.

Arsye për këtë gjendje është largimi i vazhdueshëm i stafit mjekësor nga ky institucion publik i shëndetësisë.

Myziene Kryeziu, anesteziologe, është prej atyre që kanë marrë një vendim të tillë këtë vit. Pas më shumë se 15 vjetësh punë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Kryeziu është larguar këtë muaj, për të nisur punë në një klinikë private në Prishtinë.

- Reklamë -

“Nuk kam ikur për shkak të rrogës”, thotë ajo.

“Aq jam lodhur e dërmuar, saqë nuk mundem më… Llogarite të kujdestarosh çdo të tretën ditë, 24 orë në punë”, thotë Kryeziu.

Në kushte normale, një anesteziolog do të kujdestaronte, mesatarisht, një herë në tetë ditë.

Kryeziu e përshkruan gjendjen në QKUK si “krizë”.

“Normalisht që është krizë kur për 700 operacione [në muaj] punojnë 48 anesteziologë”, thotë ajo.

“Jemi ankuar dhe kemi diskutuar në çdo mbledhje, por askush nuk është marrë me ne… Shteti nuk është lodhur me ne për asgjë, për asnjë stimulim”, thotë Kryeziu.

Paga bruto, apo e pataksuar, e një mjeku në Kosovë është 630 euro.

Dhjetë anesteziologë kanë ikur nga QKUK-ja këtë vit

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova – vend me 1.7 milion banorë – në periudhën 2018-2021.

Pleurat Sejdiu, kryetar i kësaj ode, thotë për Radion Evropa e Lirë se, deri më tash këtë vit, nga QKUK-ja dhe spitalet rajonale publike kanë dalë mbi 60 mjekë. Sipas tij, në nëntë muajt e parë të këtij viti, nga QKUK-ja janë larguar 10 anesteziologë.

Të larguarit, thotë ai, ankohen kryesisht për kushtet e punës, përfshirë pagat.

Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë në QKUK, Gazmend Spahija, thotë se mungesa e anesteziologëve e ka vështirësuar tej mase koordinimin me sallat e operacioneve.

“Jemi duke punuar me rastet urgjente, në mënyrë që pacientët të mos vuajnë… Këtë situatë e kemi lajmëruar shumë herët edhe në Ministri [të Shëndetësisë], edhe në drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, por, fatkeqësisht, nuk ka anesteziologë që presin dhe që janë pa punë”, thotë Spahija.

Dyzet e tetë anesteziologët në QKUK janë të angazhuar për kryerjen e operacioneve në mbi 30 salla të operacioneve, në qendrat intensive dhe në emergjencën e QKUK-së.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar në mes të këtij muaji se, në mungesë të anesteziologëve, ndodh që pacientët të presin me muaj apo vite për operacion.

Spahija thotë se edhe anesteziologë të tjerë mund të largohen së shpejti.

“Cilido që merr ofertë, mund të joshet. Ata po shkojnë për disa arsye, këtu kemi pagën e ulët dhe kujdestari të shpeshta”, thotë Spahija.

Një mjeku i duhen pesë vjet për t’u specializuar në anesteziologji.

Vitin e ardhshëm, vetëm një do të jetë i gatshëm për të nisur punën, ndërsa të tjerët janë në vitin e dytë të specializimit.

Në një deklaratë të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se “anesteziologjia do të jetë lëmi me prioritet në ndarjen e specializimeve të reja që janë duke u përgatitur”.

Kosova me mbi 500 infermierë më pak

Përveç mungesës së këtyre mjekëve specialistë, situatën në QKUK është duke e rënduar edhe numri në rënie i infermierëve.

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se vetëm gjatë këtij viti, më shumë se 500 infermierë, nga sektori publik dhe ai privat, kanë kërkuar dokumente nga kjo odë për t’u larguar nga Kosova.

“Kushtet e punës, paga jo e dinjitetshme bëjnë që edhe ata që kanë punuar nga 20 e 30 vjet, të largohen”, thotë Rrustemaj.

Sipas tij, QKUK-ja funksionon me rreth 2.400 infermierë, ndërsa do të duhej të kishte mbi 3.000.

Paga bazë e një infermieri në Kosovë është rreth 400 euro në muaj.

“Paga që marrim, është shaka”, thotë Muhameti, një infermier 25 vjeç, që ka lënë punën në QKUK dhe po përgatitet për t’u transferuar në Gjermani.

Paga e infermierit në Gjermani është rreth 2.400 euro në muaj, ndërsa e mjekut rreth 4.000. Gjermania është bërë destinacion për shumë mjekë dhe infermierë nga Kosova.

Këtë opsion thotë se është duke e menduar edhe Enlirat Duraku, infermier në QKUK dhe nënkryetar i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë.

“Që nga muaji mars kam nisur me planifikime, por jam duke e zvarritur këtë punë, sepse po mbaj shpresë se do të ndryshojnë gjërat”, thotë Duraku.

Një projektligj i ri për pagat, që parasheh rritje për punonjësit e sektorit publik, aktualisht është në procedurat e konsultimeve publike, që do të zgjasin deri më 6 tetor.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ky projektligj do të dalë në miratim së shpejti. Në rast se kalon, ai do të hyjë në fuqi tetë muaj pas miratimit.

Këtë muaj, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka formuar edhe Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, i cili do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Është thënë se përgjegjësitë e këtij komisioni do të përfshijnë zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë./REL

Gjithashtu lexoni:

KQZ del me njoftim, 3 dokumentet që lejojnë të votoni nesër!

KQZ nis shpërndarjen e materialit zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit

Salih Zyba publikon foto nga Prizreni: Krejt për shtet sepse shtet për krejt

Metë Shatri ndan 10 bursa për studentët e UP-së, premton më shumë mbështetje për të rinjtë

Muja nënshkruan Udhëzimin Administrativ për subvencionet 2026, rritet mbështetja për fermerët

Kosova News 26/09/2022 26/09/2022
Shpërndaje
Facebook Whatsapp Whatsapp Email Copy Link Print
- Reklamë -
Ad image
Moti
16°C
Pristina
broken clouds
18° _ 16°
80%
1 km/h
Sat
26 °C
Sun
25 °C
Mon
25 °C
Tue
27 °C
Wed
25 °C

Lajmet e Fundit

Valon Ramadani paralajmëron padi për shpifje, akuzon “Infokusin” për sulm ndaj tij dhe familjes
14:25 -06/06/2026
Dogana sekuestron mallra të falsifikuara me vlerë rreth 200 mijë euro
13:57 -06/06/2026
KQZ del me njoftim, 3 dokumentet që lejojnë të votoni nesër!
13:20 -06/06/2026
Liqeni i Shkodrës shpallet Rezervë Biosfere e UNESCO-s
12:39 -06/06/2026
Mbyllja e Evropës: Gjithnjë e më pak hapësirë ​​për migrantë
12:27 -06/06/2026
Follow US
IMPRESSUM:

KOSOVA NEWS - portal i pavarur informues e hulumtues

BOTUES: KosovaNews sh.p.k. (NUI: 811928152)

Drejtor e kryeredaktor: Jeton Sopa. Gazetare: Beslinda Rexhepi.

Tel: 038 600 149, WA: +38346100004.

E: [email protected]

ADRESA: Rr. Rexhep Mala nr. 18/1 ° Prishtinë, 10060 ° RKS

MARKETING & PARAPAGIM:

Banner ° Reklamë ° Video produkcion

Parapagim: Pako 1 ° Pako 2

Shkruani në: [email protected]

LLOGARITË BANKARE:

1. TEB Bank Sh.A. (Kosovë)

Acc: Kosovanews shpk

No: 2011 0002 1188 9556

2. PaySera (EU, SEPA)

Acc: Kosovanews

No: LT273500010018388807

SWIFT: EVIULT2VXXX

Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?