Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet S.F, i cili gjatë kohës së luftës më 1998 sa punonte si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, e kishte ndaluar afër aeroportit një mjek të cilin e kishte torturuar dhe nga ajo kohë nuk dihet asgjë për fatin e mjekut.
Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri S.F. në cilësinë e personit zyrtar, si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekjes, me datë 10.04.1998, kanë ndaluar mjekun dhe dy persona të tjerë.
Në fakt, derisa viktima H.Sh, mjek me profesion, po udhëtonte me veturë private nga Drenasi (Gllogoci) për në Prishtinë së bashku edhe me dy persona tjerë, përkatësisht H.S dhe Sh.H, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër aeroportit të Prishtinës janë ndaluar.
Tutje, Prokuroria bën të ditur se të njëjtit janë ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të Policisë Serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë, e në mesin e të cilëve që ka bërë ndalimin ishte edhe i pandehuri S.F,.
“Mjeku dhe dy të tjerët pasi ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj H.Sh. ishte marrë nga i pandehuri S.F. dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën të cilën e drejtonte i pandehuri S.F. dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, i pandehuri në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.


