Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kujtuar masakrën e Mejës, duke i nderuar 376 shqiptarët që u vranë mizorisht nga dora e forcave serbe.
Krasniqi thotë se Kosova nuk do të ndalet kurrë së kërkuari drejtësi për viktimat, zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës.
“Sot, në përvjetorin e Masakrës së Mejës, kujtojmë me nderim 376 civilë të paarmatosur, të masakruar mizorisht nga forcat serbe më 27 prill 1999. Shumë prej tyre, fatkeqësisht, edhe sot mbeten të pagjetur – një plagë e hapur për familjet e tyre dhe për gjithë Kosovën”.
“Masakra e Mejës mbetet një nga dëshmitë më të dhembshme të barbarisë së një regjimi që synonte spastrimin etnik të shqiptarëve. Kosova nuk do të ndalet kurrë së kërkuari drejtësi për viktimat, zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës. Ky është borxhi ynë ndaj tyre, ndaj vetes, ndaj së vërtetës dhe ndaj së ardhmes sonë. Lavdi e përjetshme martirëve të Mejës!”, ka shkruar i pari i PDK-së.