Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se pas një procesi rreth dyvjeçar të negociatave, mbrëmjen e së hënës u kurorëzuan ato negociata me marrëveshjen.
Sipas tij, është çështje ditësh nënshkrimi i saj.
Krasniqi ka pyetur se si mund të ketë pajtueshmëri për të kapërcyer trashëgiminë e të kaluarës.
“Nga njëra anë përmenden faktet historike nga ama tjetër pajtohen palët të mos paragjykohen për statuset. Mosnjohja e statusit tonë fatkeqësisht e ka pamundësuar anëtarësimin tonë në OKB. Sikur të ishim anëtarë të OKB-së kryeministër edhe 1000 vjet të mos na njohë Serbia. Fatkeqësisht jemi të pabarabartë”, ka thënë ai.
Sipas tij, është vështirë të arsyetohet që kryeministri i Kosovës ka pranuar as të mos e kërkojë njohjen dejure nga Serbia.
“Nga situata e para dy vjetëve kur aleatët tanë flisnin për marrëveshje finale me njohje në qendër kryeministri ka përfunduar në një kompromis të rëndë në një marrëveshja të përkohshme me Asociacionin në qendër. Nëse i analizojmë 11 nenet e marrëveshjes vijmë në përfundime dëshpëruese. Do të flisja për secilin nen për të treguar se si besoj se ato do të kthehen në zbatim por duhet të limitohem për shkak të kohës”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se neni 7 është shumë problematik, duke konsideruar se është më problematik se Asociacioni.
“Neni 7 nuk flet për kompetenca të vetëqeverisjes lokale kryeministri tha se flet për instrumentet e këshillit të Evropës, me qëllim harroi të thotë cila është fjalia pasuese, ‘bazuar në praktikat e mëhershme’. Ne i dimë praktikat e mëhershme. Nuk po të akuzoj që je duke bërë tradhti kryeministër, veç po them marrëveshja është e keqe. Neni 7 është më problematik se që po thua. Neni 11 është pikëpyetje e madhe, të shohim çfarë do të bëni për planin”, ka thënë ai.


