Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka publikuar sot një fotografi nga takimi i tij me Ragip Xhakën dhe strukturat e PDK-së në Zvicër, ku ka diskutuar për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Menjëherë pas këtij postimi ka reaguar ashpër anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi. Ai akuzoi PDK-në dhe LDK-në se brenda KQZ-së po tentojnë të vështirësojnë procesin e votimit të mërgatës, si përmes postës ashtu edhe fizikisht në përfaqësitë diplomatike.
Krasniqi kujtoi se në zgjedhjet e 9 shkurtit mijëra bashkatdhetarëve u ishte mohuar e drejta për të votuar fizikisht, për shkak të votës kundër të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në KQZ, vendim që çoi në mbylljen e dhjetëra qendrave të votimit jashtë vendit dhe në kufizimin e numrit të votuesve.
Sipas tij, përkundër deklaratave publike të Hamzës, veprimet e subjekteve që ai përfaqëson në KQZ po shkojnë në drejtim të kundërt me interesin e mërgatës.
“Shumë mirë me fjalë, por me veprime aktualisht në KQZ subjekti i z. Hamzës dhe ai i z. Abdigjikut janë duke u përpjekur ta vështirësojnë dhe pamundësojnë votimin e mërgatës”, ka shkruar Krasniqi.
Ai shtoi se as fyerjet, as stigmatizimi, as pengesat procedurale dhe as vota kundër mërgatës nuk do të arrijnë ta zbehin përkushtimin e gurbetçarëve ndaj vendlindjes.
“Mërgata do të vazhdojë të vijë në votrën e tyre, të çmallen me familjen, të votojnë dhe të festojnë”, theksoi Krasniqi.


