Deputeti, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit të 29-të për ta konstituuar Kuvendin, ka thënë se ka kaluar çdo kufi i racionalitetit.
Në adresimin e tij për media, Krasniqi ka thënë se kjo që po ndodh nuk është më politikë, por tendencë për ta mbajtur në bllokadë vullnetin e qytetarëve.
“Fiks para katër muajsh qytetarët dolën në zgjedhje të lira demokratike për të dhënë verdiktin e tyre se në çfarë verdikti e duan vendin dhe kush duhet t’i qeverisë. Verdikti ishte i qartë, i thanë jo sundimit njëpartiak të katër vjetëve të kaluara. Katër muaj në vonë, sot, është pikërisht ajo partia e mentalitetit monist, LVV-ja ajo që nuk e lejon të konstituohet Kuvendi e më pas edhe themelimi i Qeverisë së re. Tashmë ka kaluar çdo kufi i racionalitetit, kjo më nuk është politikë, kjo është tendencë për të mbajtur në bllokadë dhe për të mbajtur peng vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ne si PDK besojmë se vendi i duhet sa më parë jo vetëm Kuvendi por edhe qeveria e re”, ka thënë ai.
Derisa u pyet për propozimin e LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse, Krasniqi ka thënë se tashmë s’ka çfarë të diskutohet për atë çështje.
“Qeveritë e tilla nënkuptojnë së duhet qenë krejt bashkë dhe LVV-ja e ka refuzuar qysh në start, pra nuk kemi çfarë të diskutojmë për këtë çështje… E vërteta është që potencialisht shumica parlamentare ekziston në anën e ish opozitës”, ka thënë ai.