Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar për vdekjen e dy personave në Pejë, si pasojë e vërshimeve në këtë qytet.
“Në momente të rënda si ky, me zemër dhe mendje jam pranë familjes Ademaj për të ndarë dhembjen e madhe nga humbja e më të dashurve të tyre. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të gjithë qytetit të Pejës, të cilët u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka thënë se vërshimet e mëdha kanë lënduar edhe shumë persona të tjerë.
“Ashtu siç kanë shkaktuar edhe shumë dëme të mëdha materiale, për të cilat, pas komunikimit me zyrtarët në qytetin e Pejës, mësova se janë duke u bërë përpjekjet maksimale për sanimin dhe rikuperimin e tyre. E rëndësishme është që i gjithë vendi, pa përjashtim, në këtë moment sfidues, të solidarizohet me qytetin e Pejës dhe të ofrojë mbështetjen e parezervë për tejkalimin e kësaj situate”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të jetë aktive dhe “të shfrytëzoj të gjitha kapacietet e saj logjistike e materiale, në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve të Pejës në përballimin e kësaj fatkeqësie!”.


