Komisioni Qendror Zgjedhor u ka kthyer përgjigje qytetarëve serbë të cilët i kishin dërguar këtij institucioni formularë të plotësuar për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve në veri të vendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, se i kanë njoftuar qytetarët serbë që sipas akteve nënligjore të MAPL-së, kjo çështje duhet të dorëzohet te kryesuesi i kuvendit komunal në komunat përkatëse.
“Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet tek kyesuesi i kuvendit komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës në këtë institucion.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të martën ka konfirmuar ka pranuar katër e-maila, prej të cilave tre i kanë të bashkangjitur formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës.
Ndryshe, siç kanë raportuar mediat në gjuhën serbe në veri të Kosovës, në katër komunat veriore një grup i qytetarëve serbë kanë provuar të dorëzojnë një ‘kërkesë’ për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë ashtu siç parashihet në udhëzimin administrativ të miratuar kohë më parë, por sipas këtyre mediave kjo nuk ka qenë e mundur./kp

