Prishtinë-Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbledhjen e radhës të mbajtur këtë të martë ka aprovuar kërkesën e operatorit të shpërndarjes “Artmotion” për të vazhduar licencën por të kushtëzuar, e cila duhet t`i llogaritet deri në një vendim gjyqësor përfundimtar nga ana e Gjykatës Komerciale.
Në këtë mbledhje u tha se në rastin e “Artmotion”, zyra ekzekutive e KPM-së ka paraparë disa rrethana në lidhje me këtë operator të shpërndarjes dhe ka analizuar çështjen e pezullimit të certifikatës së operatorit nga ARBK-ja dhe e ka vlerësuar se një vendim i tillë afekton ose jo në procedurën posedimit të licencës.
KPM-ja vlerëson se kërkesa për ripërtrirjen e licencës së operatorit “Artmotion”, është dorëzuar sipas ligjeve të parapara të KPM-së dhe se kjo kërkesë, i plotëson kushtet ligjore.
Kryetari i KPM-së Jeton Mehmeti thekson se licenca e ripërtëritjes të këtij operatori duhet t’i llogaritet deri në një vendim tjetër gjyqësor.
“Në momentin që kemi ndonjë vendim tjetër nga ana e gjykatës, KPM-ja do ta rishqyrtojë vazhdimin e licensës. Dhe nëse vendimi është i pafavorshëm, mund të qoj deri në marrjen e licencës së Artmotion”, ka thënë Mehmeti.
Gjatë kësaj mbledhje KPM ka aprovuar edhe licencimin e; “Radio Max”, “Radio Alba”, “Radio Besa”, “Radio Graçanica”, “Radio Kosova e lirë”, “J&B Net”, “Kadria Net”, “Radio Puls”, “TE 7”, “TV Dielli”, |Radio Gora”, “K- Sport 5”, “TV IM”, “Radio Vizioni”, “Radio Vala Rinore”, “Radio Kontakt Plus”, “1st Channel”, “Radio Shqip FM”, “Radio Energji” dhe “Radio Capital FM.


