Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Prokurori i Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhënë në një konferencë për medie të dielën, ku janë dhënë kritika të ashpra për prokurorinë e gjyqësorin se nuk mori hapa të duhur në rastin e dhunimit të 11 vjeçarës, por edhe në raste tjera të ngjashme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar ashpër gjyqësorin në Kosovë që nuk po e bën punën ashtu siç kërkohet, të fuqizojë sundimin e ligjit me profesionalizëm. Ai ka thënë se përkundër garancive kushtetuese, gjyqësori në Kosovë duket sikur mundohet ta bëjë të kundërtën.
Në konferencën e përbashkët të dielën me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Kurti përmendi raste kur një i dënuar për dhunim seksual ec i lirë nëpër rrugë të kryeqytetit, kur dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, nuk rehabilitohet, e përsëritë veprën e madje edhe vret.
Për këtë arsye, sipas tij, nuk ka alternativë tjetër pos vettingut në sistemin gjyqësor e prokurorial.
Sipas KPK-së, deklaratat e Kryeministrit Kurti në konferencë, ku tha se 200 gjyqtarë kanë shqiptuar dënime me kusht dhe gjobë si dhe kanë lejuar parashkrimin e lëndëve, janë të pasakta.
“Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit shprehin sërish shqetësimin e thellë lidhur me riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara dhe deklarimin e pasaktë të raporteve zyrtare dhe të të dhënave statistikore në raport me sistemit prokurorial, i cili po bëhet vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se gjatë vitit 2020, 2021 dhe gjashtëmujorit të parë të 2022-ës, është parashkruar vetëm një lëndë.
“Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale përgjatë vitit 2020, 2021 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, është parashkruar vetëm një (1) rast që ka pasur të bëjë me dhunën seksuale. Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga Kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze për sistemin prokurorial”, thuhet tutje.
KPK dhe Prokurori i Shtetit bëjnë thirrje të mos jepen statistika pa verifikim të informacioneve dhe që Kryeministri të bashkëpunojë me sistemin prokurorial.
“KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.
Për rastin e 11-vjeçares janë duke u zhvilluar hetimet në dy çështje të ndara penale, atë të dyshimit për dhunim më 27 gusht nga pesë persona dhe dyshimeve për trafikim, dhunim dhe shërbime seksuale në muajin qershor nga gjashtë persona tjerë.
Për të dy rastet janë arrestuar 11 persona dhe të gjithëve u është caktuar masa e paraburgimit prej nga 30 ditë.
Pas asaj që ka ndodhur ka pasur dy dorëheqje dhe dy shkarkime.
Por, ministrja Haxhiu ka paralajmëruar edhe për veprime tjera ndaj zyrtarëve të përfshirë në rast.
“Ne brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë jemi duke identifikuar persona përgjegjës që mund të ndërlidhen me rastin, në mënyrë që të marrim veprime ndaj tyre”, tha ajo në konferencën për media më 4 shtator.
Haxhiu ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe ka thënë që duhet të merren veprime edhe ndaj “prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk po i kryejnë detyrat e tyre”.


