Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Kosova ka pranuar 95.5 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si pjesë e mbështetjes buxhetore.
Ky financim vjen pas përmbylljes me sukses të programit dyvjeçar me FMN-në, i njohur si Stand-By Arrangement, i cili kishte për synim forcimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe zbatimin e reformave të domosdoshme në financat publike.
Ministri Murati theksoi se ky është një tjetër lajm i mirë për vendin, duke nënvizuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për rritje të qëndrueshme ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies së familjeve.
“Mbështetja e FMN-së është dëshmi e besimit ndërkombëtar në politikat tona fiskale dhe reformat që kemi ndërmarrë”, u shpreh ministri në postimin e tij në rrjete sociale.