Në një delegacion të udhëhequr nga përfaqësues të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Besnik Vasolli, Drejtor Ekzekutiv, dhe Jeta Syla, Asistente Projekti, tri kompani kosovare – Bizmark, Hymeri Metals, dhe Proton Cable – morën pjesë në edicionin e 11-të të” BME Purchasing Initiative Western Balkans”, në Nuremberg.
Në këtë ngjarje dyditore të organizuar nga BME – Bundesverband Materialwirtschaft, Einkauf und Logistik e.V., delegacioni nga Kosova zhvilloi 20 takime të drejtpërdrejta B2B me blerës nga Gjermania, duke prezantuar potencialin e sektorit privat të Kosovës në fushat e prodhimit dhe përpunimit të metaleve, kabllove, komponentëve industrialë, IT, dhe inxhinieri.
Takimet e zhvilluara në Nuremberg shënojnë një hap konkret drejt ndërtimit të partneriteteve afatgjata dhe pozicionimit të Kosovës si një destinacion i besueshëm për blerësit evropianë. Kosova vazhdon të forcojë pozitën e saj si një partner i besueshëm dhe konkurrues në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, dhe kjo pjesëmarrje në Nuremberg është dëshmi konkrete e këtij progresi.
OEGJK mbetet e përkushtuar në krijimin e mundësive të reja për kompanitë vendore dhe në fuqizimin e lidhjeve tregtare me partnerët evropianë.
“Iniciativa “BME Purchasing Initiative Western Balkans” sivjet kishte 24 kompani gjermane, mbi 80 furnizues të zgjedhur, dhe mbi 200 takime të aranzhuara B2B. Ngjarja është pjesë e programit për depërtim në treg për NVM-të (MEP) nga Germany Trade & Invest (GTAI), e mbështetetur nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Klimë (BMWK), rrjeti i Dhomave të Jashtme Gjermane të Tregtisë (AHK), Dhoma të përzgjedhura të Industrisë dhe Tregtisë (IHK-të), si dhe Asociacioni për Menaxhimin e Furnizimit (BME). Kjo platformë për më shumë se një dekadë ka lidhur shumë kompani nga Ballkani Perëndimor me korporata gjermane, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik rajonal dhe ndërlidhjen me standardet dhe kërkesat e tregut të BE-së”, njofton Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare