Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, sot kanë mbajtur një takim lidhur me nisjen e negociatave për plotësim-ndryshimin e Traktatit për Ekstradim, ndryshime këto “që do të eliminojnë pengesat e ekstradimit të shtetasve mes dy shteteve”.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se kjo është marrëveshja e parë me një shtet të Bashkimit Evropian për ekstradimin e shtetasve dhe sipas saj, kjo do të thotë se Republika e Italisë i beson sistemit gjyqësor dhe korrektues.
Tutje, ministrja Haxhiu tha se me plotësim-ndryshimin e këtij Traktati, Kosova dhe Italia nuk do të jenë strehë e sigurt për ata që ju janë shmangur drejtësisë.
Ministrja Haxhiu tha se përmes këtyre marrëveshjeve, thellohet akoma më shumë bashkëpunimi mes Kosovës dhe Italisë drejt forcimit të sundimit të ligjit mes dy shteteve.