Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e konsideron të domosdoshme që Kosova dhe Franca, si vende aleate, të ecin bashkërisht drejt zhvillimit të mëtejmë të raporteve dhe forcimit të partneritetit strategjik. Këtë deklaratë Konjufca e ka bërë në vazhdën e takimeve me drejtues të lartë të shtetit francez, gjatë vizitës zyrtare në Paris.
Kryeparlamentari i Kosovës bashkë me një delegacion nga Kosova zhvilluan një takim me kryetarin e Senatit Francez, Gerard Larcher, i cili shoqërohej nga nënkryetari i Parë, ish-ministri Roger Karoutchi, nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe Forca të Armatosura, Christian Cambon, nga kryetarja e Grupit të Miqësisë Francë – Ballkan Perëndimor, Marta de Cidrac dhe nga kryetarja e Grupit të Miqësisë për Kosovën, Laure Darcos.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Francës, thuhet në njoftimin e Kuvendit.Bashkëbiseduesit thuhet se kanë ndarë mendime të përbashkëta se këto marrëdhënie janë vlerë e padiskutueshme për tejkalim të çdo sfide dhe përparim të gjithanshëm brenda bashkësisë së vendeve të partneritetit të demokracisë.
Kryetari Konjufca e falënderoi kryetarin e Senatit francez për angazhimin e shtetit të tij në Republikën e Kosovës, duke theksuar se “sa e domosdoshme është që vendet tona aleate të ecin bashkërisht drejt zhvillimit të mëtejmë të raporteve dhe forcimit të partneritetit tonë strategjik”.
Kryeparlamentari kosovar theksoi se Franca është nga vendet e traditës së hershme të demokracisë dhe institucioneve të saj, andaj “shprehu interesimin dhe përkushtimin në lidhje me përfitimin nga kjo përvojë e gjatë dhe e pasur e shtetit francez sa i përket parlamentarizmit, si dhe në lidhje me intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme të interesave të përbashkët”.


