Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka pritur në zyrën e tij kryeministrin, Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët e dorëzuan në Kuvend dosjen me dokumentet përkatëse për procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë, raporton KosovaNews.
Në këtë rast Konjufca ka thënë se procesi gjithëpërfshirës i vetingut, siç e kemi theksuar njëzëri, është një reformë e domosdoshme për sundimin e ligjit.
“Kjo është po ashtu një kërkesë shoqërore e kahmotshme për Kosovën. Krijimi, votimi dhe implementimi i tij është një hap jetik për mbarëvajtjen e shtetit dhe njëra nga reformat më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë që e ngrit efikasitetin dhe profesionalizmin”, ka thënë ai.
Si i tillë, sipas kryeparkamentarit Konjufca, procesi i vetingut do ta forcojë sistemin e drejtësisë, i cili ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës./KosovaNews/


