Prokuroria Speciale ka njoftuar se janë arrestuar katër persona, shtetas të Shqipërisë në Prizren për shkak të dyshimit se kanë shpërndarë para të falsifikuara.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale (PS), Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në rajonin e Prizrenit për kontroll të veturave, ku gjatë këtij aksioni janë ndaluar dy vetura, BMW X5 dhe Shkoda, me katër persona, për shkak të dyshimit se personat të cilët gjenden në këto vetura shpërndajnë para të falsifikuara.
Gjatë kontrollit në veturën BMW X5 është hasur sasia e parave të dyshuara si të falsifikuara në shumën prej 24 mijë e 600 euro, të cilat janë sekuestruar.
Po ashtu janë sekuestruar edhe dy automjete të përdorura nga personat e dyshuar, si dhe nëntë telefona celularë.
“Prokuroria Speciale njofton se në këtë rast janë sekuestruar njëzet e katërmijë e gjashtëqind (24,600.oo) euro, dy (2) automjete të përdorura nga personat e dyshuar, si dhe nëntë (9) telefona celularë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, si dhe të njëjtit janë shtetas të Republikës së Shqipërisë.
Me aktvendim të Prokurorit, personat e dyshuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.


