Komuna e Drenasit është zyrtarisht bërë pjesë e organizatës ndërkombëtare “Mayors for Peace”, një nismë e nisur nga qyteti i Hiroshimës në Japoni, që ka për qëllim promovimin e paqes globale dhe eliminimin e armëve bërthamore.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, i cili ka pranuar konfirmimin zyrtar me letër nga Japonia.
“Jam i lumtur që komuna e Drenasit, kontribuuese e madhe e lirisë së Kosovës, është tashmë pjesë e kësaj organizate me ndikim global,” ka thënë Lladrovci, duke falënderuar z. Matsui Kazumi për aprovimin e kërkesës së komunës.
Përmes këtij anëtarësimi, Drenasi i bashkohet rrjetit me mbi 8,000 qytete nga mbarë bota që janë të përkushtuara për paqe, siguri dhe solidaritet ndërkombëtar.
“E kaluara e qytetarëve të Drenasit është mësim që nuk duhet harruar,” ka shtuar kryetari Lladrovci.