Nga të dhënat që ka grumbulluara rezulton që çmimi aktual i faturës së grumbullimit të mbeturinave për amvisëri fillon nga 4.50 euro e shkon deri në 6.50 euro. E për biznese lëviz nga 5.40 euro deri në 72 euro, varësisht nga lloji i biznesit. Komunat e Ferizajt, Kaçanikut dhe Istogut tashmë kanë miratuar kërkesat për rritje të tarifës së grumbullimit të mbeturinave
Kompani rajonale për menaxhim të mbeturinave kanë thënë se i janë përgjigjur thirrjes së shoqatës për ambient dhe pastërti “PAMKOS” për të bërë kërkesë në komuna që të rritet tarifa e grumbullimit të mbeturinave. Thirrja nga PAMKOS u bë si rezultat i vendimit të Ministrisë së Ekonomisë për rritje të tarifës së deponimit të mbeturinave.
Zyrtarë të kompanisë “Çabrati”, që mbulon rajonin e Gjakovës, thonë se janë në proces të formulimit të një kërkese të tillë.
Tarifa është kërkuar të rritet për 1.30 deri në 2 euro nga sa është aktualisht çmimi për amvisëri. Edhe për biznese është thënë se ka hapësira për rritje të kësaj tarife.
Senad Ramaj, përfaqësues i kompanisë “EcoHigjiena” për rajonin e Gjilanit, thotë se vetëm gjatë vitit 2022 kanë bërë tri kërkesa në komunë për rritje të tarifës për grumbullimin e mbeturinave, për 1.50 euro, por që deri më tani nuk kanë pranuar asnjë përgjigje me shkrim.
“Kërkesë për ngritje të tarifave kishte edhe në të kaluarën. Kjo kishte kuptim dhe arsye të padyshimtë, sidomos duke filluar gjatë dhe pas periudhës së pandemisë Covid-19, e sidomos tani pas ngritjes së kostos së karburanteve dhe shpenzimeve të tjera operuese”, ka thënë Ramaj.
Komunat e Ferizajt, Kaçanikut dhe Istogut tashmë kanë miratuar kërkesat për rritje të tarifës së grumbullimit të mbeturinave.
E tarifa aktuale e rajoneve, si: Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Gjilanit e Ferizajt, dallon mes vete.
Kjo, si rezultat i disa elementeve në bazë të të cilave bëhet kalkulimi i tarifës, ka thënë drejtoresha ekzekutive e shoqatës për ambient dhe pastërti “PAMKOS”, raporton koha
“Kalkulimi i saj si tarifë llogaritet me distancat, sepse një komunë e cila ka shtrirje më të madhe, pozicionim më të gjerë gjeografik, normalisht që ka kosto më të mëdha të operimit për shkak të distancave me fshatrat me vendbanimet që janë në distanca më të largëta, apo një komunë që e ka qendrën më të mbipopulluar, normalisht i del tarifa e mbeturinës më e ulët, sepse e ka fluksin më të madh qytetar në zonën qendër”, u shpreh Merlina Beu-Muçaj, drejtore ekzekutive e PAMKOS-it.
Nga të dhënat që ka grumbulluar rezulton që çmimi aktual i faturës së grumbullimit të mbeturinave për amvisëri fillon nga 4.50 euro e shkon deri në 6.50 euro.
E për biznese lëviz nga 5.40 euro deri në 72 euro, varësisht nga lloji i biznesit.
Nga kompania “Ambienti” për rajonin e Pejës, kanë thënë se kanë kërkuar që tarifa për grumbullimin e mbeturinave të bizneseve të rritet për 20 për qind.
Ndërkohë, qytetarët nuk e mirëpresin iniciativën për rritje të tarifës.
“Nuk ndikon pozitivisht, tamam puna edhe në këtë kohë kur gjithçka është në krizë, kur çmimet kanë shkuar në qiell nuk ka gjasa të ndikojë pozitivisht”, ka thënë Selim Çaçaj, banor i Prishtinës.
“Po s’ke çka bën, nëse rritet çmimi s’ke çka bën, s’mund me i ikë, duhesh me pagu se s’durohen këta, të kanë kriju tash përmbarues e pa paralajmërim hiç i kanë dhanë mundësi vetes përmes përmbaruesit të bllokojnë xhirollogari, ta bëjnë të pamundshme ose duhesh me pagu, ose duhesh me lanë veprimtarinë”, shtoi qytetari Musli Abazi, me profesion avokat.
Javën e kaluar KOHA ka raportuar se qytetarë e biznese kanë borxh të akumuluar në vlerë prej rreth 50 milionë eurove ndaj kompanive rajonale.
Kjo ka bërë që disa prej këtyre kompanive të kenë borxhe të akumuluara në Kompaninë për Menaxhim të Deponive në vlerë prej 1 milion e 42 mijë eurosh.


