Gjykata Komerciale e Kosovës është shprehur e shqetësuar pas deklaratave të pushtetit komunal në Prishtinë, lidhur me vendimin e kësaj gjykate për t’i pezulluar punimet e “Rrugës A”. Komercialja në një reagim publik në Facebook ka kërkuar që të ndërtohet kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të lihen gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi vendimin politik duke akuzuar gjykatësen Vlora Pacolli, për të cilën ka thënë se është motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli. Akuza të njëjta kundër patën edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e zyrtarë të tjerë të kësaj partie që qeveris me Prishtinën.
“Gjykata Komerciale e Kosovës, shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin ‘Rruga A’, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale. Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte”, thuhet në reagim.
Komercialja ua ka kujtuar palëve që kanë të drejtë të ankohen në vendimin e parë dhe se çështja s’duhet të paragjykohet pa marrë epilog përfundimtar.


