Komandanti i Misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku është diskutuar për bashkëpunimit të ngushtë mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Ky takim ishte pjesë e bashkëpunimeve të rregullta të Gjeneralmajor Barduani me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe rajon, dhe u përqendrua në situatën aktuale dhe koordinimin mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës.
Gjeneralmajor Barduani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend. Ai gjithashtu përcolli shpresën e tij për një zhbllokim të shpejtë të situatës politike aktuale, duke nënvizuar nevojën për të adresuar sa më shpejt sfidat më urgjente për rajonin.
Në këtë kontekst, ai theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të KFOR-it me organizatat e sigurisë së Kosovës, duke e konsideruar atë si një element kyç për sigurinë e qëndrueshme të Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për lirinë e lëvizjes.