Nga Besnik Vasolli – Drejtor Ekzekutiv, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV)
Pas zgjedhjeve të vitit 2025, Kosova po përballët me sfida të panevojshme, formim i ngadalshëm i institucioneve, pasiguri politike dhe si gjithmonë, mardhënie fragjile ndërkombëtare. Por, nga herët e kaluara, këtë herë, nga Qeveria në ardhje, rritja ekonomike duhet të jetë një nga top prioritetet e vendit.
Në një kohë kur investitorët kërkojnë stabilitet, bizneset vendore kanë nevojë për përkrahje konkrete, dhe të rinjtë kanë nevojë për më shumë mundësi, është jetike që qeveria e re të vendosë prioritete të qarta dhe të guximshme, që sjellin zhvillim ekonomik të matshëm e afatgjatë. Pra jo strategji në letër, tani si kurrë më herët duhet kaluar nga fjalët në vepra, duke u fokusuar te disa shtylla kyçe që mund ta shndërrojnë Kosovën në një ekonomi funksionale.
Është bërë e qartë që nuk duhet bazuar ne donacione e ndihma, por duhet bazuar ne potencialin dhe aftësitë tona zhvillimore. Më poshtë, me përulësi, dua t’i propozoj tri shtylla kryesore për të ardhmen ekonomike të Kosovës dhe rolin e komunave në këtë vizion.
1. Një qasje kombëtare për investime
Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë me struktura të fragmentuara dhe iniciativa të pakoordinuara për investime. Vendi ka nevojë për një strukturë unike dhe funksionale për investime, një lloj “one-stop shop” që shërben si dritare e vetme për investitorët vendorë, të diasporës dhe të huaj. Ky mekanizëm do të hartonte projekte konkrete, do të ofronte pako atraktive dhe do të zbatonte vendime pa vonesa burokratike.
Lajmi i mirë është se janë hedhur disa hapa në këtë drejtim. Është miratuar Ligji i ri për Investimet e Qëndrueshme, i cili parasheh themelimin e Agjencisë së Investimeve dhe Eksporteve (AIE). Kjo agjenci synon pikërisht centralizimin e përpjekjeve për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e eksportit, duke e ngritur nivelin e vendimmarrjes për investimet strategjike.
Po ashtu, është lansuar “Dritarja e Investimeve të Diasporës”, një skemë garantuse për kredi prej rreth 100 milionë euro për bizneset e diasporës, e cila u mundëson mërgimtarëve të marrin kredi investimi deri në 3 milionë euro me garanci deri në 2 milionë nga Fondi i Kosovar për Garanci Kreditore. E gjithë kjo ka për qëllim të tërheqë kapitalin dhe ekspertizën e diasporës në vend.
Qeveria e re duhet ta fuqizojë dhe zbatojë me vendosmëri këtë qasje kombëtare. Krijimi i AIE-së duhet shoqëruar me autoritet të plotë koordinues ndërinstitucional, në mënyrë që investitorët të kenë një adresë të qartë ku t’iu zgjidhen shpejt problemet. Projektet e identifikuara si strategjike duhet të marrin trajtim prioritar qoftë për infrastrukturë mbështetëse, leje të posaçme apo stimuj fiskalë. Po ashtu, duhet vazhduar iniciativat si fondet e garancisë, lehtësirat për investime strategjike dhe promovimi aktiv jashtë vendit. Një mekanizëm i tillë unik, me kapacitet vendimmarrës dhe llogaridhënie direkte, do të sinjalizojë seriozitet për tërheqjen e investimeve të reja.
2. Tregu i punës: më shumë trajnim, më shumë prodhim
Rinia jonë ka talent dhe ambicie, por shpesh i mungon përgatitja praktike për tregun e punës. Shkollimi universitar nuk po përkthehet mjaftueshëm në aftësi të kërkuara nga industria.
Është koha për politika aktive punësimi të lidhura ngushtë me kërkesat e sektorëve me rritje të shpejtë, si teknologjia e informacionit, bujqësia dhe industria përpunuese. Kjo nënkupton investim në arsimin dhe trajnimin profesional, zgjerimin e skemave duale shkollë-punë, dhe subvencionimin e praktikave apo trajnimeve që i përgjigjen nevojave reale të biznesit.
Strategjia e Punësimit 2024–2028 e Kosovës tashmë e vë theksin tek zhvillimi i shkathtësive dhe ulja e hendekut mes aftësive të ofruara dhe atyre që kërkohen nga tregu. Zbatimi i saj duhet përshpejtuar, duke përfshirë sektorin privat në hartimin e kurrikulave dhe programeve të trajnimit.
Paralelisht, mbështetja për ndërmarrjet prodhuese duhet të jetë prioritet i pakontestueshëm, këtu mos te përmendi koston e eneregjisë që e dimë sa sfiduese do të jetë për prodhuesit tonë. Duhemi ndërmarrë veprime konkrete si ne rritjen e kapaciteteve gjeneruese, posaqërisht nga burimet e energjisë të ripërtëritshme, ofrimin e tokës industriale me kosto të ulët, më shumë grante për makineri dhe teknologji të reja, lehtësi doganore për lëndët e para, si dhe thjeshtim të procedurave administrative për bizneset prodhuese.
Çdo investim i ri prodhues që hap vende pune duhet trajtuar me kujdes si “investim strategjik” në miniaturë. Kjo do të rrisë prodhimin vendor, do të zvogëlojë varësinë nga importet dhe do të krijojë vende pune cilësore në sektorin privat. Nga këto masa do të përfitojnë drejtpërdrejt të rinjtë kosovarë, të cilët do të gjejnë më lehtë punë brenda vendit por edhe do te ulë emigrimin. Fundja, kurë të rinjtë shohin mundësi reale punësimi dhe karriere në Kosovë, ata do të qëndrojnë e të kontribuojnë në ekonominë tonë.
3. Reforma fiskale që shpërblen zhvillimin
Rritja ekonomike nuk mund të vijë vetëm nga rritja e shpenzimeve publike, ajo kërkon menaxhim të mençur të të hyrave dhe incentivim të zhvillimit. Gjithashtu ulja e ekonomisë informale duhet të bëhet prioritet kombëtar.
Ekonomia joformale në Kosovë vlerësohet të jetë mbi 30% e BPV-së, rreth 1.8 miliardë euro në vit, gati sa buxheti vjetor i shtetit! Kjo nënkupton humbje të mëdha në të hyra publike dhe konkurrencë jolojale për bizneset e rregullta. Çdo euro e nxjerrë nga informaliteti është një euro më shumë për shkolla, spitale apo përkrahje të bizneseve.
Shpërndarja e drejtë dhe efektive e subvencioneve publike është po ashtu thelbësore. Fondet e grantëve dhe subvencioneve (në bujqësi, ndërmarrësi, energji etj.) duhet të alokohen mbi bazën e impaktit ekonomik. Duhet siguruar që mekanizmat e monitorimit të matin rezultatet e subvencioneve si p.sh. sa vende pune u krijuan, sa u rrit prodhimi apo eksporti falë tyre dhe t’i ridrejtojnë fondet aty ku kthimi është më i madh.
Në fund të ditës, paratë publike duhet të nxisin inovacionin dhe zhvillimin. Një regjim fiskal e subvencionues që shpërblen performancën krijon një rreth virtuoz ku akterët ekonomikë nxiten të zhvillohen për të përfituar, dhe vetë ekonomia rritet si rezultat i këtij zhvillimi.
4. Komunat si motor i zhvillimit
Zhvillimi ekonomik nuk ndodh vetëm në Prishtinë, komunat luajnë rol vendimtar si promotore të investimeve, inovacionit dhe punësimit në nivel lokal. Për vite me radhë, disa komuna kanë treguar se me iniciativa të tyre mund të tërheqin investitorë, por shumë të tjera presin ende qeverinë qendrore për çdo gjë. Është koha që komunat të fuqizohen dhe të bashkëpunojnë mes vete, duke kapërcyer ndasitë politike e etnike, për interesin e zhvillimit.
Një ide konkrete është krijimi i Zonave Ndërkomunale të Bashkëpunimit Ekonomik respektivisht hapësira të përbashkëta industriale, tregtare apo teknologjike të menaxhuara së bashku nga disa komuna fqinje. Me mbështetjen e qeverisë, donatorëve ndërkombëtarë, komunat e ndryshme mund të bashkojnë resurset për të ndërtuar parqe industriale moderne, inkubatorë biznesi rajonalë apo qendra trajnimi profesionale që u shërbejnë të gjithë qytetarëve të atij rajoni.
Ky model jo vetëm e shtrin zhvillimin ekonomik përtej qendrës, por edhe krijon bashkëpunim ku sot shpesh ka ndarje. Eksperiencat e organizatave hulumtuese vendore e ndërkombëtare sugjerojnë se partneritetet ndër-komunale mund të përmirësojnë ndjeshëm shërbimet lokale, klimën e biznesit dhe komunikimin ndëretnik.
Një komunë e vetme mund të mos ketë kapacitet të krijojë një inkubator inovacioni ose të mirëmbajë një park industrial të madh, por pesë komuna së bashku mund t’ia dalin, sidomos kur kanë edhe fonde nga qeveria qëndrore, BE-ja apo donatorë të tjerë.
Përveç zonave të përbashkëta, komunat duhet të fuqizohen edhe institucionalisht. Krijimi i Zyrave për Zhvillim Ekonomik brenda komunave me staf të specializuar në dhënie asistence për investitorët, promovim të potencialeve lokale dhe këshillim për bizneset e vogla do t’i bënte komunat më proaktive.
Gjithashtu, dixhitalizimi i shërbimeve komunale (lejet, licencat, pagesat) do të ulte potencialin per korrupsion dhe do të rriste tërhjekjen për investime në ato komuna. Nëse një investitor e di se në komunën X çdo leje merret online brenda 5 ditëve, ai do të preferojë të investojë aty sesa diku ku “duhet të ndjekësh letrën nëpër zyrë” e lerë më aty ku të kërkojnë të holla ose favore për tē marrë lejën.
Koha për kthesën që e meritojmë
Kosova nuk ka mungesë as talenti, as ide të mira, por ka pasur mungesë të vendimeve të qarta, të shpejta dhe me efekt konkret. Tani është momenti për t’u zgjuar ekonomikisht dhe për të bërë kthesën e madhe që e meritojmë.
Nëse si shtet dhe shoqëri e përqendrojmë energjinë në ato 20% veprime që sjellin 80% të rezultateve, ne mund ta shkëpusim ekonominë tonë nga tranzicioni i përhershëm. Kjo do të thotë të fokusohemi tek shtyllat me ndikim më të madh: krijimi i një mekanizmi efikas për investime, fuqizimi i fuqisë punëtore dhe prodhuese vendore, përmirësimi i menaxhimit të financave publike, dhe fuqizimi i komunave si bartëse të zhvillimit.
Në praktikë, rezultatet e kësaj qasje do të ndihen shpejt, respektivisht më shumë fabrika duke prodhuar e eksportuar, më shumë të rinj të punësuar në profesionet për të cilat janë kualifikuar, më shumë investitorë duke hapur biznese në Kosovë dhe më shumë të hyra në buxhet pa rritur taksat, thjesht duke zgjeruar bazën.
Kosova ka mundësi të bëhet histori suksesi e rajonit nëse bën kthesën e duhur tani, pa humbur kohë. Mesazhi im besoj është i qartë, në zhargonin e NASA-s “Huston, koha e pritjes ka mbaruar”. Për ata që din dhe guxojnë, është koha për vendime të guximshme dhe veprime konkrete.
Duke bashkuar talentin e të rinjve tanë, kapitalin e diasporës, partneritetin me miqtë ndërkombëtarë dhe vizionin, ne mund ta nisim një epokë të re të mirëqenies së qëndrueshme. Kosova e zgjuar ekonomikisht është Kosova e fuqizuar dhe kjo është e ardhmja që duhet të ndërtojmë, duke filluar nga dje.