Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka folur për një varg çështjesh, mes tjerash për dialogun Kosovë-Serbi, për punimet në seancat e Kuvendit të Kosovës, e ku në spikamë e vë çështjen e Kodit Civil dhe shumë çështje tjera.
Rezultati i takimit të djeshëm në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për deputetin Korenica ishte i pritshëm.
“Për mua personalisht ka qenë i pritshëm, sepse deri më sot të gjitha përfaqësimet të kryeministrit jashtë vendit kanë qenë dinjitoze. Nga takimi i djeshëm është parë se sa problematike është të luftosh vendin tonë e në këtë drejtim kryeministri ynë po e kryen detyrën e tij shumë mirë”, ka deklaruar mes tjerash, Korenica.
Tutje, në këtë drejtim Korenica shtoi se fatkeqësisht Serbia po ledhatohet nga ndërkombëtarët,derisa pati vërejtje ndaj ndërmjetësuesve Borrell e Lajçak se nuk po insistojnë që Vuçiq të nënshkruajë për cështejt për të cilat arrihen marrëveshjet.
E lidhur me “Udhëzimin Administrativ” ku ndalohet qasja e vajzave me shamia në shkolla, deputeti Korenica u shpreh se ky udhëzim, që po përsëritet ndër vite, të hiqet që të mos ketë pengesa në ndjekjen e mësimit në shkolla, sikundër tha ai, për vajzat tona.
“Është një e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë e me ligjin për arsim që fëmijët tanë të kenë shkollim të dinjitetshëm”, deklaroi Korenica, derisa shtoi se ka pasur takime të drejtpërdrejta me ministren Nagavci për çështjen në fjalë, që të marrë vendim për ta shfuqizuar atë vendim, sipas tij, i padrejtë.
Tutje, deputeti Korenica tha se duhet që secilit fëmijë t’u mundësohet shkollimi, të gjitha ato mundësitë që jep shteti për edukim.
Ndërkaq lidhur me ligjin për Kodin Civil, për miratimin e të cilit ministrja Haxhiu kohë më parë ishte shprehur optimiste, deputeti i cili rrjedh prej të njëjtës subjekt politik, tha se nuk di të kemi pasur ndonjë takim për këtë punë.
“Megjithatë është deklaratë e ministres dhe qëndrimi është i njëjtë. Ne kemi diskutuar publikisht për këtë çështje. Nuk do të ketë përkrahje nëse është dokumenti i njëjtë”, deklaroi mes tjerash, deputeti Korenica në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Ai më tej shtoi se duhet me fanatizëm ta mbrojmë familjen tonë.


